Kujtime dhe miqësi
Kampi ndihmon fëmijët të zhvillojnë dhe përjetojnë mësime të rëndësishme shoqërore dhe emocionale. Kujtimet e përvojës së zjarrit me miqtë apo pasditet e bukura duke eksploruar natyrën… Kampi nuk është thjesht një mënyrë e këndshme që fëmijët të kalojnë ca ditë pushimesh, por një vendtakim ekskluziv që i furnizon ata me kujtime përplot vlera. Në kamp fëmijët rriten, eksplorojnë, mësojnë për veten e tyre, njerëzit dhe botën që i rrethon, duke u argëtuar përgjatë gjithë procesit. Kampi është një mundësi fantastike që fëmijët të ndërveprojnë dhe të krijojnë kujtime që zgjasin gjatë gjithë jetës.
Argëtim
Gjatë dimrit fëmijët mësohen me përditshmërinë e vitit shkollor: rutina e të shkuarit në shkollë, kryerja e detyrave të shtëpisë dhe më pas koha e gjumit. Në anën tjetër, kampi veror ofron argëtim, pushim dhe kohë të lirë për aktivitete të programuara por edhe spontane. Kampi veror i tërheq fëmijët nga zona e rehatisë dhe i nxit ata për të provuar gjëra të reja, si edhe të eksplorojnë interesat e tyre të hershme. Argëtimi përbën një pjesë tejet të rëndësishme të programit të kampit. Në sajë të argëtimit, kultivojmë tek kampistët tanë më shumë krijimtari dhe eksplorojmë shumë aspekte të imagjinatës së tyre. Kampistët i largohen rutinës së përditshme dhe përfshihen në aktivitete sportive, artistike dhe edukative, të krijuara posaçërisht për t’i argëtuar. Gjithçka, në një ambient të sigurtë dhe të rehatshëm ku të gjithë janë të mirëpritur të shprehin mendimet dhe emocionet e tyre.
Ide të Reja
Kampi është vendi ideal që fëmijët të rigjejnë dozat e munguara të frymëzimit në jetën e tyre. Programi i kampit përfshin aktivitete rekreative në hapësira shumë-dimensionale ku fëmijët përjetojnë ethet e pjesëmarrjes së shëndetshme dhe shprehin anët e tyre më të mira.
Zakone të Reja të Shëndetshme
Të jesh fëmijë ditët e sotme është paksa më e ndërlikuar se dikur. Fëmijëve sot u duhet të jenë të përditësuar me informacionin, teknologjinë, sikurse duhet të jenë të “pëlqyeshëm” në rrjete sociale. Pritshmëritë ndaj tyre rriten dita-ditës edhe më shumë duke krijuar një presion ndoshta të paqëllimshëm por me ndikim në zhvillimin e jetës së tyre. Programi i kampit kultivon zakone të shëndetshme në jetën e fëmijëve të tilla si: reduktimi i orëve pas ekranit të telefonit, socializim dhe aktivitete fizike.
Mundësi për të Shkëlqyer
Çdo fëmijë e meriton (të paktën) një shans për të qenë ylli i ditës dhe mbrëmjes, tema kryesore e diskutimit, qendra e vëmendjes. Në kampin tonë, çdo fëmijë ka mundësinë e barabartë për të shkëlqyer dhe zhvilluar më tej talentet e tij. Programi i aktiviteteve të kampit është i orientuar për vëmendje individuale kushtuar të vegjëlve tanë.
Vetëbesim
Ballafaqimi me sfidat e ndryshme rrit vetëbesimin dhe nxit tek kampistët një ndjenjë krenarie për veten. Në sajë të programit gradual të kampit, fëmijët nisin të bëhen të pavarur dhe fitojnë më tepër besim mbi aftësitë e tyre, në një mjedis të sigurt dhe të kontrolluar. Kampi veror ofron një mjedis më pak konkurrues se shkolla, ku fëmijët kanë më shumë mundësi për të arritur qëllimet e tyre, qoftë duke shënuar një gol apo duke realizuar një pikturë për herë të parë. Nëse nuk e dinit, arritja është elementi kryesor i vetëvlerësimit dhe gjatë kampit fëmijët mësojnë të vlerësojnë siç duhet veten dhe aftësitë e tyre.
Lidhje me Natyrën
Përdorimi i teknologjisë po shkëput tërësisht fëmijët e ditëve të sotme nga natyra dhe zhvillimin që ajo i ofron jetës. Ndaj, roli i natyrës në jetën e fëmijëve ka nevojë të theksuar për më shumë vëmendje. Koha e kaluar në natyrë inkurajon lëvizjen, e cila është jetike për shëndetin fizik, mendor dhe emocional. Gjithashtu, natyra i ndihmon kampistët të përjetojnë magjinë e vërtetë të fëmijërisë, gjë që i nxit ata të mendojnë dhe gjejnë përgjigjet për misteret më të mëdha të jetës. Fëmijët janë të lirë të vrapojnë, të hidhen, të kërcejnë, të ngjiten, të qeshin dhe të marrin oksigjenin e pastër që ofron natyra e parkut kombëtar të malit Dajt.
Miqësi të Reja
Kampi është destinacioni ku fëmijët krijojnë shokë të rinj, madje shokë për kokë, ndonjëherë edhe shokë për jetë. Çdo sezon kampingu na mëson kuptime të reja mbi vlerat dhe manifestimet e miqësisë. Teksa ditët e bukura të kampit gëlojnë të ikin shpejt, miqësitë e reja lenë pas shijen e përjetimeve të çmuara. Për më tepër, kësaj rradhe fëmijët kanë mundësinë të bëhen me një shok të ri shumë të veçantë… Xixo!
Vlerësim i Barabartë & Inkurajues
Në kamp, çdo fëmijë promovohet, inkurajohet dhe vlerësohet ashtu siç duhet. Personeli jonë përkujdeset që të gjithë të kenë një trajtim të barabartë dhe njëkohësisht nxitës, që mpreh më tej vetitë dhe talentet e gjithsecilit prej tyre. Në kampin tonë nuk lejohen zhgënjimet, dekurajimet dhe kurrsesi ofendimet.
Disiplinë
Disiplina është vetia që përcakton nivelin e vendosmërisë për t’i shkuar gjërave deri në fund. Disiplina është një praktikë jete e karakterizuar nga një kod i hijshëm sjelljeje që eliminon vetëvetiu gabimet, moskorrektësitë dhe abuzimet. Në kampin tonë fëmijët mund të mësojnë parimet bazë të disiplinës dhe kuptojnë domethënien e vërtetë të saj.
përjeto eksperiencen me
TUR VIRTUAL I KAMPIT
Ngjyrat reale të përditshmërise së fëmijeve në kamp, duke i shkëputur nga realiteti virtual në të cilin tentojnë cdo ditë të izolohen